Telegrafi

Rama publikon të dhënat: Shqipëria e para në Evropë për rritjen në turizëm

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka publikuar të dhënat e Organizatës Botërore të Turizmit, e cila për tre muajt e parë të këtij viti e ka renditur Shqipërinë të tretën në botë dhe në vend të parë në Evropë sa i takon rritjes turistike.

Sipas Ramës, këto të dhëna tregojnë rritje të pandalshme të turistëve që po e zgjedhin Shqipërinë jo vetëm për sezonin veror, por përgjatë gjithë vitit.

“Rritja e pandalshme e turistëve që po e zgjedhin Shqipërinë jo veç për sezonin veror buzë detit, por tanimë përgjatë gjithë vitit, nga Tirana e gjithandej prej veriut në jug, konfirmohet me një të dhënë spektakolare të Organizatës Botërore të Turizmit, e cila për tre muajt e parë të këtij viti e rendit Shqipërinë të tretën në botë dhe në vend të parë në Evropë sa i takon rritjes turistike krahasuar me periudhën përpara pandemisë”, ka shkruar kryeministri në llogarinë e tij në Facebook.

Rama tutje ka thënë se këto të dhëna paralajmërojnë edhe një sezon fantastik veror.

Ndryshe, vendet më të preferuarat në Shqipëri në këtë sezon veror për turistët si vendas edhe të huaj mbeten Thethi e Valbona. Nga agjencitë turistike një interesim i madh është vërejtur edhe për turet ditore të cilat lidhen më së shumti me kulturën dhe historinë. /Telegrafi/