Site icon Telegrafi

Rama publikon pamje gjatë vizitës në familjen e Hashim Thaçit, iu rrëfen për bisedat në Hagë me ish-presidentin

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ku ditën e hënë do të mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zhvilluar edhe një vizitë në familjen e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Teksa u takua me familjarët e ish-presidentit të Kosovës, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë, u shpreh i lumtur që e vizitoi Hashim Thaçin në Hagë, madje e konsideroi atë si vëlla.

“Hashimi ishte shumë mirë, si me shëndet, por edhe me humor. Lexonte shumë, por edhe stërvitej. Te formulari para se të futesha, shkrova: Do ta takojë se më ka marrë malli. E kam si vëlla Hashimin”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Kosovë ku ka vizituar disa biznese në Rahovec e Gjakovë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës së bashku me atë të Shqipërisë do të mbajnë të hënën mbledhjen e tetë të përbashkët.

Sipas agjendës, në këtë takim pritet të nënshkruhen disa marrëveshje.

Hapja e sesionit plenar të mbledhjes do të nis në orën 11:15, ku ministrave fillimisht do tu drejtohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pas tij edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Lexo po ashtu Rama flet nga Gjakova për Ballkanin e Hapur: Nuk e merr Serbia tregun, secilit i takon pjesa e vet

Pas kësaj do të bëhet prezantim mbi infrastrukturën portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Këto projekte do të prezantohen nga drejtori i Royal Haskoning DHV, Eric Smit.

Deri më tani janë nënshkruar mbi 100 marrëveshje mes dy shteteve.

Mbledhja e fundit e qeverive Kosovë-Shqipëri u mbajt më 26 nëntor 2021, e cila përfundoi me firmosjen e 13 marrëveshjeve. /Telegrafi/

Exit mobile version