Site icon Telegrafi

Rama provokon grekët: Akropolin e keni falë guximit të një shqiptari (Foto)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë një deklaratë të fortë, duke thënë se Athina ka qenë  dikur qytet shqipfolës, kjo duk u bazuar në dokumenta dhe dëshmi autentike.

Në një postim në Facebook, Rama ka folur për historinë e Athinës dhe se si shqiptari Gjergj Dushmani negocioi me flotën Veneciane që të mos bombardohej Athina.

Rama argumenton se pavarësisht kësaj Athina nuk mund të konsiderohet si një qytet shqiptar.

Sa i përket Himarës, Rama thotë se kjo krahinë njihet ndërkombëtarisht si shqiptare.

Postimi i Ramës:

Kjo gravurë e vjetër e Athinës e 1670 (qytet në të cilin, shkruante ende më 1925 princi grek fanariot Eugene Rizo-Rangabe, “…popullsia autoktone është edhe sot e kësaj dite kryesisht shqiptare”), na kujton, ndër të tjera se, nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit! I cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk.

Një histori e tillë e një qyteti që dikur ishte sipas historianëve e dëshmive autentike, qytet kryesisht shqipfolës, nuk e bën absolutisht atë një qytet shqiptar, edhe pse shqiptarëve Athina diçka u ka borxh në historinë e saj të jashtëzakonshme.

Dhe, tamam po kështu, nëse Himara, përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si “lingua franca” të Orientit, nëpërmjet shkëmbimeve detare, një bashkëjetesë të afërt e të frytshme, kjo nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke; aq më shumë që popullsia e saj, në të gjithë aktet ndërkombëtare, për të mos folur veç për Historinë, njihet thjesht e vetëm si SHQIPTARE.

Exit mobile version