Site icon Telegrafi

Rama: Prishtina dje dëshmoi se është gati për ndryshimin e madh

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama është duke vazhduar takimet me qytetarët.

Rama ka thënë se Prishtina është gati për ndryshimin e madh.

“Prishtina dje dëshmoi se është gati për ndryshimin e madh, Prishtina dje më dha edhe njëherë zemër më gjithë përkrahjen që më ofroi, përkrahje të cilën e kam pasur që nga fillimi. E konsideroj veten me fat që për këta 6 muaj të përgatitjes së fushatës, për çdo ditë, prej mëngjesit e deri në mbrëmje jam takuar me shumë banorë të qytetit e të fshatrave, kam mësuar aq shumë për shqetësimet dhe pengesat tuaja të shumta, dhe bashkë me ekipin tim, kemi hartuar plan-programin më të pasur, më të detajuar e më gjithëpërfshirës që Prishtina ka pasur ndonjëherë”, ka shkruar Rama në Facebook.

Tutje, ai ka pohuar se “ky vizion për Prishtinën, të cilin e kam prezantuar në fillim të kësaj gare, nuk është vetëm rezultat i këtyre 6 muajve të fundit, por akumulim i krejt përvojës sime profesionale e jetësore të deritashme; është analizë e gjatë që përmban zgjidhjet e problemeve që kemi në qytet e në fshatrat tona”.

“Programi ynë është hartuar në bazë të nevojave të banorëve, me projekte konkrete, të krijuara me qëllimin për t’u zbatuar e për t’u jetësuar, për ta na e lehtësuar jetën tonë sot e për t’i vendosur standardet për jetën e të nesërmes. Është imperative që të shohim përtej asaj që na ofron qyteti sot, të kërkojmë përtej ndreqjeve e ndërhyrjeve të vogla, dhe të votojmë përtej parapëlqimeve partiake”, ka shtuar tutje ai.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor. /Telegrafi/

Exit mobile version