Telegrafi

Rama prezanton 20 vjeçaren nga Durrësi, thotë se ka rrëmbyer vëmendjen e Bill Gates

Kryeministri Edi Rama ditë më parë ka bërë publike një shembull frymëzimi, të një vajzë të re e cila punon si programuese online.

Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë ka prezantuar 20-vjeçaren durrsake Xhulia Kurti, që siç thotë Rama ka rrëmbyer vëmendjen e liderëve të zhvillimit teknologjik botëror si Bill Gates e të tjerë, me pasionin për teknologjinë.

Rama shkruan se vajza e re ka impresionuar jurinë me projektin e saj për komunikimin dhe shkëmbimin e materialeve pa internet apo wifi

“RESPEKT Xhulia, 20 vjeçarja durrsake që ka rrëmbyer vëmendjen e liderëve të zhvillimit teknologjik botëror si Bill Gates e të tjerë, me pasionin për teknologjinë është shembull frymëzues i ndryshimit që di të sjellë gjenerata e shqiptarëve të rinj, kreativë e inovativë. Ajo është renditur e dyta në konkursin botëror të projekteve teknologjike, ku ka impresionuar jurinë me projektin e saj për komunikimin dhe shkëmbimin e materialeve pa internet apo wifi”, shkruan Rama.

Ndërsa vetë Xhulia tregon si u rendit e dyta në konkursin botëror të projekteve teknologjike.

“Modeli më i mirë i suksesit që unë kam është Steve Jobs dhe do doja shumë të arrija në hapat e tij. Ky pasion ka lindur herët që në vitin 2008, pasi qasja ime me internetin ka qenë shumë e hershme në internet-kafenë e babait tim. Aty mësova si të programoja dhe aty kam marrë frymëzimin e parë”, rrëfen Xhulia.