Kryeministri shqiptar, Edi Rama e cilësoi ndërtimin e portit turistik të Durrësit, si mundësinë që jo vetëm qyteti ku do të bëhet ky investim, por e gjithë Shqipëria të ndryshojnë njëherë e përgjithmonë.
I pranishëm në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk dhe “Albanian Seaports Development Company” sh.a, kryeministri tha se nëse hedhim sytë sot dhe shohim Malin e Zi, ku kanë rrogat më të larta në rajon, duhet të kuptojmë se gjithçka nisi nga “Port of Monte Negro”.
Rama theksoi gjithashtu se në këtë projekt madhështor shteti shqiptar do të jetë aksionar bashkë me kompaninë investitore.
“Ky është një projekt që do të ndryshojë përgjithmonë jo vetëm Durrësin, por gjithë Shqipërinë. Me ndërtimin e këtij porti të rritet eksponencialisht vlera e pasurisë së të gjithë qytetarëve të Durrësit, do të rritet vlera e të gjitha hoteleve në vijën bregdetare. Këtu është fjala për imazhin komplet tjetër që do të ketë Shqipëria në botë. Nëse sot pagat në Malin e Zi janë më të larta në rajon kjo nisi me “Porto Monte Negro”. Durrësi do të jetë porti më i madh i Mesdheut, do të jetë port binjak i marinës së Dubait”.
“Ky port hap një perspektivë të re. Shteti shqiptar në këtë port nuk do të jetë siç është parafytyruar dikur si thjeshtë etniteti që i jep tokën një investitori, shteti shqiptar aty do të jetë aksioner. Shteti është ortak kur ata që negociojnë mendojnë për shtetin dhe jo për veten e tyre. Porti turistik i Vlorës ndërkohë ka filluar, në Sarandë po ashtu ka filluar, po punojmë për projektin e Shëngjinit”, u shpreh kryeministri./ABCNews/