Kryeministri Edi Rama ka vijuar sot në Kuvend replikat e zakonshme me deputetët demokratë Flamur Noka dhe Jozefina Topalli.
Duke iu drejtuar deputetit Noka, Rama u shpreh: “Valëvitu mbi kanabis, mos u merr me çështje të tjera se as t’i kanë ngarkuar ty, as nuk i mban dot, tundu mbi kanabis dhe e vetmja gjë që mund të bësh është që kuotat e universiteteve t’i përkthesh në tonelata kanabis”.
Megjithëse nuk përmendi emra, Rama ironizoi deputetin e larguar nga PS, Ben Blushi. “Dhe kujdes se po ju shtohen njerëzit që do hanë përsheshin tuaj dhe luftoni fort për të ngrënë me lugën e Saliut se s’ka lugë për të gjithë ai”, tha Rama.
Ndërkaq, replikat vijuan me Topallin e cila deklaroi: “Nëse ka një meritë gjatë kësaj periudhe, merita e tij është shkatërrimi, banalizimi, vulgarizimi i Parlamentit për të tërhequr vëmendjen nga dështimet e tij të njëpasnjëshme. Po të ishte për mua do të kisha sjellë njerëzit në Kryeministri për të rrëzuar. Je vulg e sadist”.
Nga ana tjetër Rama u kundërpërgjigj duke thënë: “Jozefinë, the ç’nuk the po s’kuptova çfarë the. Ti as që e di çfarë deshe me thanë. Unë fola për fakte siç fola këtu kur dole me atë foton dhe konkurrove me Tinka Kurtin, se PDja iku tani e mori Luli. Në konkurrencë me Tinkën e kam pranuar je rrotë më rrotë”.