Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj në përurimin e hapjes së kantierit të parë në një nga lagjet e Tiranës, foli për situatën pandemike në vend dhe për qytetarët të cilët kanë mbetur pa shtëpi, si pasojë e tërmetit më 26 nëntor.
Ai tha se qytetarëve që iu kanë shkatërruar shtëpitë nga tërmeti do të hyjnë së shpejti në një apartament të ri.
“Nëse dikush ka humbur një shtëpi një apartament në Tiranë me një vlerë x dhe do të hyjë së shpejti në apartamentet e reja do disponojë jo vetëm një shtëpi më të mirëe, por edhe një vlerë më të madhe pasurore. Në 26 nëntorin e shkuar ne u gjendëm përballë një sfide të jashtëzakonshme, me 15 a ca më shumë mijë familje që brenda pak sekondash u gjendën pa shtëpi dhe ndërkohë që mblodhëm forcat për ta përballuar këtë sfidë që nuk është një sprovë e merituar”, tha Rama.
Rama tutje foli për situatën me COVID-19.
“COVID-i mund ta kishte përmbysur krejtësisht gjithçka. Mund ta kishte detyruar Shqipërinë që të futeshim në një gjendje thjesht mbijetese, të përditshme duke lënë mënjanë të gjitha planet e së nesërmes. Ne do të përballemi në front edhe me sfidën e rindërtimit, do të përballemi me armikun e përbashkët dhe do të përballemi edhe me të ardhmen. Nuk rindërtojmë sa për të futur njerëzit nëpër kasolle apo nëpër apartamente si ato të traditës së banesave sociale…”. /TCH/Telegrafi/