Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përkujtuar sot 553-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu.
Me pamje nga Memorialit i Skënderbeut në Lezhë, tashmë i rehabilituar kryeministri Rama ka uruar mirëmëngjes.
“Mirëmëngjes dhe në këtë ditë përkujtimore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ju uroj një të diel të bukur”, shprehet Rama.
Vendvarrimi i Skënderbeut përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Përveç mureve të kishës, në këtë objekt gjendet edhe absida, ku ndodhet i vendosur busti i Skënderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tri harqet mbi derën e kishës.
Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi, të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronzi të Skënderbeut.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, strateg dhe burrë shteti i madh, udhëhoqi luftën për liri e pavarësi kundër pushtimit osman, për bashkimin politiko- shtetëror të popullit shqiptar. Ai personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por dhe një epokë të tërë të historisë kombëtare. Figura e Heroit tonë Kombëtar lidhet më luftën më se njëshekullore kundër pushtimit osman.
Lufta e shqiptarëve me në krye prijësin e tyre shënon një kthesë vendimtare në organizim politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar. Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës, Skënderbeu mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar. Si drejtues i Kuvendit theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të Shqiptarëve. Ai ishte Kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar.