Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot dy ushtarët e Brigadës për Reagim të Shpejtë(BRSH) të FSK-së, tetarin Rafet Gashi dhe ushtarin Liridon Selimi, të cilët i përgëzoi për paraqitjen e jashtëzakonshme në garën ushtarake shumëkombëshe “Ushtari më i mirë”.
Kjo garë ishte organizuar nga KFOR-i amerikan në Kampin Bondsteel prej 11 deri më 13 shkurt 2016, ku morën pjesë 10 ekipe të ushtrive të shteteve të NATO-s, të cilat shërbejnë në Kosovë, si nga Amerika, Gjermania, Polonia, Hungaria etj.
Ekipi i FSK-së në këtë garë u përfaqësua nga tetari Rafet Gashi dhe ushtari Liridon Selimi, të cilët dolën më të mirët në të gjitha disiplinat, si: Gjuajtje me armë të shkurtra dhe të gjata, kursi i pengesave–kalitje fizike, marshim rrugor 10 km me 16 kg ngarkesë, montim dhe çmontim i armëve dhe ndihmë e parë.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjatë këtij takimi i përgëzoi tetarin Gashi dhe ushtarin Selimi për suksesin e arritur në këtë garë ndërkombëtare.
“Me paraqitjen tuaj të shkëlqyeshme në garën për zgjedhjen e ushtarit më të mirë të organizuar nga KFOR-i amerikan, ku në mesin e 10 ekipeve të shteteve të NATO-s keni zënë vendin e parë, është një sukses i madh. Ju përgëzoj për përkushtimin dhe profesionalizmin që keni treguar dhe po tregoni gjatë shërbimit tuaj në FSK. Me paraqitjen tuaj të mirë keni nderuar jo vetëm FSK-në por edhe vetën tuaj”, tha ai.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, më pastaj, kërkoi angazhim maksimal edhe në të ardhmen, duke marrë shembuj të mirë të pjesëtarëve të FSK-së, të cilët kudo ku po shërbejnë në botë, po tregojnë rezultate të shkëlqyeshme.
“Ky sukses është i shkëlqyeshëm, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ekipeve të ushtrive më të avancuara që veprojnë në kuadër të NATO-s në Kosovë, çka më bën të ndihemi krenar edhe mua si komandant i FSK-së”, tha ai.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, tetarit Rafet Gashi dhe ushtarit Liridon Selimi iu dha certifikata me motivacionin “Për arritje të jashtëzakonshme”.
“Duke marrë parasysh nivelin dhe konkurrencën e lartë në këto gara, kjo është arritje mjaft e lartë jo vetëm për pjesëtarët që garuan, por edhe për vetë FSK-në dhe Kosovën në përgjithësi, pasi me këtë po tregojmë se pjesëtarët tanë kanë përgatitje të lartë arsimore dhe fizike, të të njëjtit nivel edhe me shtetet e rajonit dhe ato evropiane”, tha komandanti i FSK-së.
Ndërsa, tetari Rafet Gashi dhe ushtari Liridon Selimi u shprehën se ndihen të lumtur që kanë zënë vendin e parë. Ata falënderuan komandantin e FSK-së, gjeneral Ramën dhe premtuan se gjithmonë do të angazhohen për të mirën e FSK-së, me qëllim të rritjes së imazhit të saj si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. /Telegrafi/