Në takimin e radhës në Korçë për llogaridhënien me qytetarët, kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij duke shprehur ngushëllime për familjarët e gardistit Shkëlzen Qordja, që u gjet dje i vdekur në garazhin e Gardës.
“Ngushëllime të ndjera për gardistin. Dua të ndaj me familjen të gjithë ndjenjën e keqardhjes për faktin se përtej tragjedisë dhe dhimbjes së një familjeje për djalin, ata nuk mundën të gjejnë qetësinë për të lotuar brenda mureve të shtëpisë, sepse u gjendën nën rrebeshin e zi të sulmeve politike. Pa dashur fare t’ja dinë për respekt, për të vërtetën jo e jo, por as për një familje të thjesht. Versioni brutal ndaj djalit që u nda nga jeta, përfshirja e tij në skenarë fantazie makabër për të goditur ministrin e Brendshëm dhe qeverinë nuk ka fjalë. Është i neveritshëm, i turpshëm”, u shpreh Rama.