Telegrafi

Rama për Thaçin: A duhet të konsiderohen kriminelë ata që e çojnë popullin e tyre drejt lirisë?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi në profilin e tij në Twitter i ka dhënë sërish mbështetje ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndaj të cilit ditën e hënë do të nisë procesi gjyqësor në Hagë.

Rama në Twitter ka shkruar se “A duhet të konsiderohen kriminelë ata që e çojnë popullin e tyre drejt lirisë kundër regjimeve brutale?”

“Është një mendim shqetësues, veçanërisht duke pasur parasysh se njeriu në këtë foto dikur u përshëndet si George Washington i Kosovës nga vetë Joe Biden”, ka thënë kryeministri Rama në postimin e tij.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se është e gatshme që gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të fillojë më 1 mars të këtij viti.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe krerëve të UÇK-së, rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999. /Telegrafi/