Kryeministri Edi Rama mbërrin në Beograd për herë të tretë në dy vjet. Delegacioni shqiptar është ulur pasditen e kësaj të mërkure në kryeqytetin serb me gjysmë ore vonesë, sikurse ishte paralajmëruar dhe është drejtuar për në hotelin ku nesër do të mbahen Samiti i Sigurisë dhe takimet me zyrtarët serbë.
Situata në Beograd është e qetë dhe duket se rrugëve nuk ka shumë forca sigurie. Megjithatë, për këtë duhet të pritet dita e nesërme.
Bëhet fjalë për një takim të rëndësishëm rajonal, pasi liderët e Ballkanit bashkë me ata europianë do të diskutojnë për sigurinë në rajon.
Kryeministri Rama, ndër të ftuarit më të rëndësishëm, do të bëjë hapjen e samitit dhe më pas do të takojë homologun Aleksandar Vuçiç në selinë e qeverisë së Serbisë, për të vijuar më pas me shqiptarët e Preshevës.
Politikanë nga ky rajon do të vijnë në Beograd për të diskutuar problemet e tyre më të rëndësishme gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar, i cili më pas do të niset për në Forumin e Biznesit në Nish.
Gjatë qëndrimit në Serbi, Rama do të promovojë edhe librin e tij “Kurban”, ndërkohë që nuk do të ketë një konferencë për shtyp ndryshe nga vizitat e tjera.
Në tërësi, mesazhi i këtij samiti pritet të jetë për një bashkëpunim rajonal më i fuqishëm, gjë e kërkuar edhe nga SHBA dhe BE. /tch/