Site icon Telegrafi

Rama për portin e ri: Të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor do të çojnë në Durrës

Kryeministri Edi Rama tha sot se porti i ri tregtar në Porto Romano do t’i japë një zhvillim të madh Durrësit.

Gjatë fjalës së tij në prezantimin e projektit, Rama u shpreh se falë punës që do të bëhet nga studio holandeze “Royal Haskoning DHV”, të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor do të çojnë në Durrës, duke vendosur një paralelizëm me shprehjen e vjetër të Perandorisë Romake se të gjitha rrugët të çojnë në Romë.

“Falenderoj të gjithë përfaqësuesit e vendeve të interesuara për këtë projekt. Dua t’i shpreh një falenderim të veçantë ustait të ardhur përsëri nga Holanda, Erik Oostwegel, i cili për hir të së vërtetës na ka ndriçuar rrugën me një aftësi të pashembullt që mishëron eksperiencën dhe dijen botërisht të mirënjohur të kompanisë Royal Haskoning”, tha Rama.

“Kjo na bën të ndihemi të sigurt që thënia e vjetër e Perandorisë Romake se të gjitha rrugët të çojnë në Romë, falë Erikut dhe grupeve të inxhinerëve dhe të analistëve të Royal Haskoning do të bëjë që të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor të çojnë në Durrës”, theksoi kreu i qeverisë. /Telegrafi/

Exit mobile version