Kryeministri Edi Rama ftoi sërish opozitën t’i bashkohet mazhorancës për votimin e Vettingut, ndërsa i tha ‘jo’ sërish kërkesës së opozitës për qeveri teknike, kur deklaroi se shqiptarët e kanë zgjedhur qeverinë e tyre deri në 18 qershor.
Në rubrikën ‘Komunikimi javor’, Rama tha se Partia Demokratike po kërkon pushtetin në tavolinë.
“Na duhet një drejtësi e re që garanton trajtim të drejtë e të barabartë, që e bën shtetin shtet dhe qytetarin, njeri të lirë në ushtrimin e vullnetit të tij, për të konkuruar ndershmërisht e për t’u vlerësuar sipas meritës në rrugën e jetës”, tha Rama.
Themelet e një drejtësie të re, vijoi ai komunikimin në rrjetin social Facebook, janë vendosur në kushtetutën e Shqipërisë dhe Kuvendi ka miratuar ligjet kryesore për fillimin e një revolucioni demokratik që do të përmbysë sistemin e vjetër e të kalbur të drejtësisë, duke nisur me zbatimin e ligjit themelor të Vettingut.
“Politika shqiptare duhet t’i hapë rrugë ndëshkimit të gjykatësve e prokurorëve të korruptuar përmes zbatimit të ligjit të Vettingut. Çdo viktime e re në sallat e prokurorëve e gjyqtarëve nuk është vetëm viktimë e sistemit të drejtësisë, por edhe e politikanëve që i bëhen mburojë të shkuarës e pengojnë të ardhmen me mosveprimin e tyre në funksion të Vettingut”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, çdo vonesë në çlirimin e drejtësisë prej pengmarrësve të saj, i kthen politikanët në pengmarrës të Shqipërisë, ekonomisë e integrimit në Evropë.
PD, vijoi Rama, nuk mund të fshihet më në “çadrën” e luftës për pushtet, duke braktisur detyrën e saj kushtetuese, politike e qytetare të përfaqësimit të mbështetësve të saj, të cilët mund të mos e duan qeverinë, por Shqipërinë e integrimin e saj në BE, e duan njëlloj sa zgjedhësit e mbështetësit e kësaj qeverie