Site icon Telegrafi

Rama: PD-ja të tërhiqet nga vendet e rezervuara, dy institucione s’i negociojmë

Kryeministri Edi Rama, përmes një konference për media, ka deklaruar se beson se deri në momentin e fundit mund të gjendet një zgjidhje për reformën në drejtësi, që e përfshin PD-në.

“E kam rithënë seancën e shkuar, lajmi i mirë është se PD-ja i ka braktisur të gjitha pozicionet e saj të mëparshme. 2/3 nuk u bënë punë, u duhen vende të rezervuara. Ne ju kemi ofruar 2/3 si një mundësi ekstremi kompromisi. Ne kemi dashur të provojmë botërisht se ne nuk na intereson kapja, por na intereson shembja e këtij sistemi dhe ngritja e një sistemi të ri, ku partitë të mos kenë shteg për të kapur pushtetin.Unë nuk e përjashtoj deri në momentin e fundit mundësinë e një zgjidhje që e përfshin opozitën në këtë reformë dhe mbi të gjitha s’mund të jetë qëllimi i SHBA-ve dhe BE-së, të përjashtojnë opozitën nga sistemi i drejtësisë. Unë jam i bindur se kjo zgjidhje mund të gjendet, nëse PD-ja do zgjidhje dhe nëse kjo pikë është e vetmja e gjë që e ndan PD-në nga kartoni jeshil për reformën”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se dy institucione nuk negociohen dhe kjo është vija e kuqe qe ai i cakton opozitës.

“Për reformën ka dy shtylla, njëra kalimin në skanerin e atyre që paguhen me taksat e shqiptarëve, prokurorë e gjykatës. Bëhet fjalë për një ‘Radiografi etiko-profesionale’, dhe për të gjykuar, pasuria vendimmarrja në vite, aftësitë profesionale me një filtër shumë të imët, të teknologjisë më të lartë, ndërkombëtare. Këtë nuk e negociojmë. Shtylla tjetër është nga Këshilli i Lartë i Kënetës (i referohet KLD-së) dhe ngritja me institucione të reja. Kush e garanton këtë? Nëse ndërtojmë një shtëpi të re dhe fusim brenda po ata banorë që sot e kanë bërë horrllëk dhe pisllëk. Këto dy institucione nuk i negociojmë. Nuk pranojmë as vende të rezervuara, nuk i kthejmë në pazar partish”, tha kreu i ekzekutivit.

Kreu i qeverisë u shpreh se PD-ja do ta votojë reformën megjithëse ka bindjen se opozita nuk e dëshiron atë.

“Jemi gati të lëvizim nga 2/3. PD-ja duhet të lëvizë nga vendet e rezervuara. Ne presim me padurim mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për të vazhduar procesin, sepse nuk ka më asnjë ditë për të humbur, madje asnjë orë për të humbur. Shpresojmë shumë që opozita të vijë në komision dhe të japë kontributin e saj të çmuar. Ndërkohë që, nëse PD-ja nuk do votojë, ne do ta bëjmë pa asnjë lëkundje, por jo me votim të njëanshëm nenin për shumicën e cilësuar. Do të tentojmë për një zgjidhje të arsyeshme. Pastaj do shohim nëse opozita është ajo që thotë apo do shfaqet me një pikë tjetër. Unë mendoj se PD-ja nuk e do reformën në drejtësi, por vijoj të mendoj se PD-ja do ta votojë reformën në drejtësi”, u shpreh ai.

Dalja e Ramës vjen pas takimeve që pati në Kryeministri, fillimisht me kreun e Kuvendit Ilir Meta dhe pastaj me Ambasadorët e SHBA dhe BE-së, ku në qendër të bisedimeve ishte miratimi i reformës në drejtësi.

Takimi Rama-Meta zgjati për rreth dy orë dhe në të ishin të pranishëm zyrtarë të LSI-së, si Petrit Vasili, Ylli Manjani dhe Sokol Dervishaj, si the kreu i Komisionit për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj. Ndërsa takimi i kreut të qeverisë me ambasadorët Lu e Vlahutin zgjati për afro 60 minuta

Exit mobile version