Kryeministri Edi Rama votoi bashkë me bashkëshorten Linda Basha në qendrën e votimit në Dajt, në ZAZ nr. 30.
Në përfundim të votimit, Rama tha se është shumë herë më e rëndësishme Shqipëria dhe mësimi historik që kjo ditë do t’i japë të gjithëve, se sa vota për njërin apo tjetrin kandidat.
“Kjo ditë konfirmon një herë e përgjithmonë se me popullin nuk luhet, sovraniteti i popullit nuk është një fjalë boshe dhe kush tenton t’ia marrë popullit sovranitetin nuk ka asnjë fund tjetër se sa fundi me dështim dhe me turp. Sot është e rëndësishme që çdo qytetar në këtë vend të votojë, ose të mos votojë, por të respektojë të drejtën e kujtdo për të votuar ose mos votuar. Historia e solli që këto zgjedhje, shumë më tepër se sa zgjedhje për kryetarët e rinj të bashkive, të jenë zgjedhje për të gjithë fëmijët tanë. Jam i bindur se sot në Shqipëri po ndodh diçka historike dhe është një mësim që nuk do të harrohet kurrë nga asnjë parti politike e asnjë politikan dhe kurrë më interesat e një pale, apo hesapet e politikës nuk do të mund të bien ndesh interesit të madh kombëtar, dhe hesapeve të popullit për të pasur një shtëpi të përbashkët për fëmijët tanë”, tha ai. /A2News/