Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Shpresa Rama, me ftesë të Qeverisë Amerikane ka marrë pjesë në një program lidershipi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ajo ka shprehur mirënjohjen për vizitën që bëri Departamentit të shtetit Amerikan, duke u njohur nga afër me sistemin, punën, sfidat dhe mënyrën e zgjidhjes së përfaqësuesit të shtetit.
Lexoni më poshtë postimin e plotë:
“Jam e lumtur që më është dhënë rasti të jem e ftuar në një Program Lidershipi nga Qeveria Amerikane.
Pata nderin që vizitova State Departmentin, sepse të njihesh nga afër me sistemin, punën, sfidat dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre nga përfaqësuesit e shtetit, është mundësi dhe privilegj i jashtëzakonshëm për mua.
Unë ndava disa nga përvojat e mija, si lidere e re, potencova se Kosova është një shtet me rini prej 65%, të cilët kanë vullnet, janë të emancipuar dhe niveli intelektual i tyre tejkalon çdo shtet të gadishullit ballkanik dhe më gjerë, potencova gjithashtu sfidat me të cilat përballemi dhe kërkova mbështetje për rininë e Kosovës.
Ne shqiptarët e Kosovës, e sigurisht edhe të trevave tjera shqiptare, do t’u jemi gjithmonë mirënjohës SHBA-ve për ndihmën që na dhanë në shtetformim dhe për mbështetjen që po vazhdojnë të na japin.
Vlen të theksoj se u ndjeva krenare kur në hyrje të objektit të State Departmentit pash flamurin e Kosovës dhe atë kombëtar në radhën e flamujve të shteteve të të gjithë botës.
Gjithashtu më la përshtypje fakti që brenda objektit ndodhej një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë shërbyesve që kanë rënë heroikisht ose në mënyrë të natyrshme në vendin e punës, si simbol i asaj se sa shumë e vlerësojnë shërbimin për shtetin e tyre amerikanët.
Zoti i bekoftë të gjitha ato shtete që synim kanë të mirën e njerëzimit, Zoti e bekoftë popullin amerikan dhe atë shqiptar”, ka shkruar Rama në Facebook. /Telegrafi/