Kryeministri Edi Rama, bashkë me kryebashkiakun Veliaj, e ministren Nikolla ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shkollës “Kosova” në Tiranë 17 vite pas mbylljes dhe shembjes së saj.
Gjatë fjalës së tij, Rama vuri në dukje se për arsimin është bërë shumë pak, por se theksoi se baza e një transformimi rrënjësor është vendosur.
“Ajo që ne po bëjmë çdo ditë për arsimin do duket pak nga pak dhe rezultatet do duken të plota kur të kalojnë jo pak vite. Ama një gjë është e sigurt që baza e një transformimi rrënjësor të arsimit pas shumë vitesh rrënim dhe kaos është vendosur. Fillimi i këtij viti me libra falas nga klasa 1-IV është një nga shenjat e një ndryshimi rrënjësor që nuk është thjesht tek muret, infrastruktura, por është tek tekstet, te mësuesit, te e gjithë mënyra si ndërtohet programi i shkollës”, u shpreh Rama.
Më tej kryeministri Rama premtoi fillimin e ndërtimit të 17 shkollave të reja në kryeqytet bashkë me kryebashkiakun Veliaj.
“Brenda pak javësh së bashku me Bashkinë e Tiranës do fillojmë projektin e madh të 17 shkollave të reja që ndërtohen nga programi 1 miliard i qeverisë dhe sot janë në fazën finale të zbatimit të kontratave të projektuar nga arkitektë të huaj. Dua t’iu uroj mësuesve, prindërve që sot kanë çuar fëmijët në shkollë, një vit sa më të mbarë dhe sa më të suksesshëm shkollor. Investimi iu prindërve tek fëmijët po gjen gjithmonë e më shumë përputhje me investimin tonë për fëmijët”, tha Rama. /Telegrafi/