Telegrafi

Rama: Nuk po heshtim për kidnapimin e policëve në veri, por po presim KFOR-in

Arki

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Rama tha se ata që thonë se po hesht përballë rrëmbimit të policëve në Veri, apo ata që duan t’i hedhin benzinë zjarrit nuk duan t’ia dinë as për Kosovën e as për Shqipërinë.

Ai tha se është duke pritur hetimet e KFOR-it dhe Shqipëria si pjesë e bashkësisë euroatlantike ndjek fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie.

“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”.

“Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat”, shkroi Rama.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale./Telegrafi/