Emergjenca e motit ka mbaruar dhe tashmë situata ka hyrë në fazën e dytë, në atë të reagimit ndaj pasojave. Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile, kryeministri Edi Rama tha mes të tjerash se përparësi do të ketë dhe nisma ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneseve nga përmbytjet.
“Përparësi dhe marrja e nismës ligjore për sigurimin e banesave nga përmbytjet, bizneseve nga përmbytjet. Jemi ende i vetmi vend që nuk ka një masë të tillë në ligj dhe ku pastaj njerëzit e prekur mbeten në mëshirën e fatit dhe në pritje vetëm nga buxheti i shtetit që nuk mund të përballojë gjithçka e gjithmonë dhe pse këtë herë, sigurisht që do t’i përballojmë si dhe herën e kaluar të gjitha detyrimet që burojnë nga kjo krizë e rëndë. Po është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët, sipërmarrësit të sensibilizohen dhe të kuptojnë se duhet si në çdo vend normal të marrin masa të sigurohen nga fatkeqësitë natyrore në mënyrë që dëmet të kompensohen plotësisht dhe në kohë reale në bazë të këtij mekanizmi”, tha Rama.
Duke raportuar në mbledhje përfaqësues të Emergjencave Civile thanë se karakteristikë e fenomenit të përmbytjeve të këtij viti ishte dëmtimi i shumë urave, krahasuar me herët e tjera, duke thënë se ujërat kanë pasur volum dhe shpejtësi të mëdha. Aktualisht në gjithë vendin janë 65 ura të dëmtuara.
“Të dëmtuar shumë ura në krahasim me herët e më parshme, ka patur volum e shpejtësi të mëdha, 65 ura të dëmtuara. E paraqesim për të thënë se është e rëndësishme në fazën që do të hyjmë. Argjinaturat, digat, kanalet kulluese mbeten ende problem”, tha Sandër Lleshi. /Telegrafi/