Kryeministri shqiptar Edi Rama ka njoftuar se nga sot ka hyrë në funksion rrjeti i përbashkët elektro-energjetik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai në një konferencë për medie pas takimit dyditor me liderët politikë të Kosovës, ka thënë se ky është investimi më i madh në tregun e përbashkët energjetik.
“Para largimit nga Prishtina kemi konfirmuar një lajm shumë të pritur, i cili është i mirëpritur lidhur me hyrjen në funksion të rrjetit të përbashkët elektro-energjetik dhe të investimit të madh të interkoneksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, falë edhe përfshirjes të Kosovës në tregun e përbashkët energjetikë. Është një lajm i gëzueshëm për faktin se është dashur për një kohë të gjatë për ta vënë në lëvizje investimin e madh, pastaj e përfunduam atë. Nga sot, faktikisht hynë sot në fuqi”, tha Rama, përcjell Telegrafi.
Kujtojmë se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST), kishin nënshkruar marrëveshjen për themelimin e Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri (Blloku AK).
Operimi si bllok rregullues i përbërë prej dy zonave rregulluese KOSTT dhe OST, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-ergjetike si nga aspekti teknik ashtu dhe ai ekonomik. /Telegrafi/