Site icon Telegrafi

Rama nga Athina i dërgon mesazh homologut të tij grek: Eshtë koha e mirëqënies dhe lirisë, të jetojmë në harmoni

Kryeministri Edi Rama në fund të fjalës së tij të mbajtur para shqiptarëve në Athinë, dha edhe një mesazh për homologun e tij Kyriakos Mitsotakis.

Duke cituar Naim Frashërin, Rama tha se dëshira e vërtetë e shqiptarëve është që të jetojnë në paqe dhe në harmoni me fqinjët e tyre.

“Dëshiroj t’i lë një pusullë mikut tim, kryeministrit Mitsotakis. I dashur Kyriakos në vitin 1886 poeti ynë kombëtar Naim Frashëri shkruajti në greqisht vjershën e tij, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”.

Duam me të gjithë fqinjët, sllavë dhe grekë të jetojmë në harmoni, në vëllazëri, me rend dhe paqe të jetojmë. Le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi, mjaftojnë vuajtjet e shumta dhe tiranitë që kemi kaluar është koha e mirëqeniës, është koha e lirisë. Shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë”, tha kryeministri Rama.

Lexo po ashtu ​Mbushet stadiumi në Greqi me shqiptarë, Rama: Jeni bota

Ai shtoi se marrëdhëniet shqiptaro-greke janë më të ngushta se sa i ka bërë të duken politika e dy vendeve.

“Ju shqiptarët e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e ekonomisë, dijes e kulturës i këtij vendi të bekuar ku prej 25 shekujsh qëndron djepi i filozofisë dhe demokracisë.

Gjatë historisë rrugët e shtëpive tona, luftërat, përrallat, marrëdhëniet tona kanë qenë shumë më të lidhura sa ç’janë lënë të duket. Edhe sot dukja e marrëdhënieve tona thotë shumë më pak se realiteti, ndërthurja e jetëve dhe lidhja e rrugëve të së ardhmes të pandashme mes shqiptarëve dhe grekëve”, tha kryeministri Rama. /EuroNews/

Exit mobile version