Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka mbështetur “Marshin e Drejtësisë”, marsh ky i cili pritet të zhvillohet nesër, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në Hagë.
Rama, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se nesër do të marshojnë me besimin e e thellë se, siç u shpreh ai, lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë e lindur nga populli.
“Me besimin e thellë se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë e lindur nga populli, marshojmë edhe që t’i rikujtojmë publikut vendas dhe atij ndërkombëtar se shumica dërrmuese e krimeve çnjerëzore të kryera gjatë kohës së luftës nga aparaturat shtetëtore e paramilitare të Serbisë mbi popullsinë civile të Kosovës mbeten të pandëshkuara, e rrjedhimisht përqindja më e madhe e kryesve të atyre krimeve padrejtësisht të lirë. Prandaj, nesër #MarshojmëPërDrejtësi për viktimat e luftës”, ka shkruar ai. /Telegrafi/