Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka paralajmëruar se muxhahedinët duhet të largohen nga Shqipëria nëse e përdorin vendin për të luftuar kundër regjimit iranian.
Kreu i qeverisë ka dhënë një intervistë për gazetën gjermane, Der Spiegel ku ka thënë se iranianët e kanë shkelur vazhdimisht marrëveshjen.
“MEK-un e kemi prej disa vitesh në vendin tonë. Ata janë të mirëpritur por me kusht që të mos e përdorin Shqipërinë për një platformë për operacionet e tyre politike. Mysafirët tanë iranianë e kanë shkelur vazhdimisht këtë marrëveshje”, është shprehur Rama.
Ai tutje ka thënë se Shqipëria nuk ka synim që të jetë në luftë me regjimin iranian dhe se nuk pranon askënd që ka abuzuar me mikpritjen e saj.
“Ishte një operacion jetëshpëtues. Ne hapëm dyert tona sepse grupi, që atëherë vepronte nga Iraku u ndoq sistematikisht. Dhe nëse një mik si SHBA-ja na kërkon diçka, ne ndihemi të nderuar. E kuptojmë inatin kundër regjimit në vendin e tyre. Por vendi ynë të përdoret si llogore në një luftë që nuk është e jona, nuk funksionon! Sigurisht që ata kanë çdo të drejtë të luftojnë për lirinë e tyre, por për ta bërë këtë duhet të largohen nga Shqipëria”, ka shtuar kryeministri.
Disa ditë më parë, me vendim të Gjykatës së Posaçme, Policia e Shtetit ushtroi kontroll në ambientet e kampit të MEK-ut, i cili nxiti reagimin e banorëve të kampit.
Reagimi i tyre nisi kur policia iu afrua serverave dhe filloi të sekuestrojë pajisjet kompjuterike. Reagimet e para kanë qenë për asgjësim të dokumenteve dhe kartave të memories, e më pas në përballje fizike me policinë për të mos lejuar marrjen e tyre./Telegrafi/