Sulmet në Aeroportin e Stambollit diktuan edhe konferencën e përbashkët për shtyp në Ankara mes Kryeministri Edi Rama dhe homologut të tij turk, Yildirim.
Pasi shprehën ngushëllimet për familjarët e viktimave, dy kryeministrat u ndalën tek bashkëpunimi dypalësh, ku Rama kërkoi thellimin e tyre.
“Ne kemi parë me kënaqësi të gjithë panoramën e gjërave që na lidhin dhe bashkojnë dhe kemi gjetur se potenciali për të bërë më shumë është i jashtëzakonshëm dhe së bashku me kryeministrin Yildirim ne jemi angazhuar që të çojmë përpara këtë proces intensiv bashkëpunimi për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, arsimit dhe kulturës duke bërë që ajo çka ushqejmë për njëri-tjetrin si popuj dhe si vende të mos jetë më e madhe sesa ajo që bëjmë realisht nga pikëpamja e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike”, tha Rama.
Duke iu referuar sulmeve në Stamboll, Rama ritheksoi zotimin e Shqipërisë për të qenë në krah të Turqisë dhe gjithë aleancës antiterror.
“Ata që zhytën sot në zi Turqinë, kurrën e kurrës nuk do ta pengojnë, as këtë vend të bekuar dhe as fuqinë e ëndrrave dhe të shpresave të të gjithëve neve, të bashkuara në sofrën e njerëzi-dashës dhe në këtë sofër, Shqipëria dhe Turqia janë bashkë prej kohësh”, tha ai.
Nga ana e tij, kryeministri turk falënderoi Shqipërinë për mbështetjen dhe tha se asnjë akt terrorist nuk ndan dy vendet, ndërsa foli edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik.
“Kemi diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona. Kemi diskutuar edhe për projekte konkrete”, u shpreh kryeministri turk, Yildirim.