Partia Socialiste e vazhdoi fushatën elektorale pasditen e sotme në Has. Kryeministri Rama e nisi fjalimin e tij me banorët e Hasit duke i thënë se Partia Demokratike nuk ka vendosur asnjë grua apo vajzë në listat e Qarkut të Kukësit.
“Në skuadrën e Partisë Demokratike për të ndërtuar një Republikë të re, nuk ka vend për asnjë grua, asnjë vajzë nga Hasi nga Kukësi, Tropoja. Në 5 qarqe të Republikës së re nuk kanë përfaqësim për gratë”, tha Rama.
Kryeministri tha se gratë dhe vajzat duhet të respektohen njësoj si burrat dhe si djemtë. “PD ka shkelur ligjin me këtë. Kjo është shumë e rëndësishme që çdo grua të harrojë se çfarë partish ka për zemër dhe të bashkohet për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë PD dhe të gjitha atyre partive që tentojnë të përjashtojnë gratë dhe vajzat”, tha Rama.
Edi Rama ju drejtua më tej banorëve të Hasit se duke votuar Partinë Demokratike e çojnë votën dëm.
“Si mund të merrni në punë Lulin, çfarë pune do të ju bëjë Luli ju? Ju a them unë, Luli fle gjumë me sy hapur dhe me sy mbyllur njësoj. Në 4 vite në bashkinë e Tiranës nuk ka bërë asnjë punë. Luli i mirë në televizor, sa fiket kamera e zë gjumi. Duke votuar gjashtën e çoni votën kot, vetëm do të çoni disa deputetë në opozitës. Fjalët e mia do dalin, mos e çoni votën kot. PD më ka një borxh mua, pasi e nxora Lulin nga çadra”, tha Rama.
Ndërkohë, në një takim me gratë dhe vajzat e Kukësit, Rama përsëriti thirrjen që më 25 qershor femrat të bashkojnë votën për PS-në.
“Pak rëndësi kanë bindjet, rëndësi ka kush është në gjendje të bëjë punë. Gratë të bashkojnë votat me Partinë Socialiste. Burrat i ngatërrojnë partitë me skuadrat e futbollit. Hedhin votën dhe pas numërimit bërtasin “fitore”, pa e ditur se si e kanë hedhur atë votë”, tha Rama.