Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, njoftoi se në muajin prill do të shfaqen të rilindura thesaret e Parkut Arkeologjik të Apollonisë, pas ndërhyrjes të madhe restauruese.
“Mirëmëngjesi dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë imazh ikonik të Parkut Arkeologjik të Apollonisë. Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se në prill do të shfaqen të rilindura thesaret e këtij parku, pas ndërhyrjes më të madhe restauruese të 30 vjetëve të fundit, e cila u ndërmor qysh prej janarit 2016 nga një skuadër ekspertësh të spikatur”, shkruan kryeministri.
Ky restaurim shembullor, vijon ai, ka përfshirë monumentet brenda hapësirës së Manastirit bashkë me Portikun e Statujave, Trapezarinë, Kishën, depon Arkeologjike, Muzeun, dhe hapësirat panoramike përreth zonës së Parkut.
Parku Arkeologjik i Apollonisë, sipas tij, do të ketë Portën e Jugut si hyrjen e tij të re, ku ju sugjeroj të mos e humbisni rastin për të hyrë në një botë magjepsëse. /Telegrafi/