Telegrafi

​Rama në New York: Shqipëria ishte pjesë e një sulmi të orkestruar kibernetik nga Irani

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i bëri thirrje Asamblesë së Kombeve të Bashkuara që të rrisë fokusin e saj te siguria kibernetike.

Në fjalimin e tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York, kreu i qeverisë shqiptare solli në vëmendje se Shqipëria u sulmua në kohë paqeje nga Republika Islamike e Iranit me qëllim paralizimin e shërbimeve publike si dhe vjedhjen e të dhënave.

Tutje, Rama u shpreh se Tirana zyrtare ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin për shkak të këtyre sulmeve kibernetike.

“Korrikun e kaluar Shqipëria ishte pjesë e një sulmi të paprovokuar kibernetik përqendruar me synim për të paralizuar shërbim elektronik e për të vjedhur të dhënat nga sistemi i komunikimeve qeveritare, krijoi kaos në vend. Një hetim i thellë dhe i gjatë i kryer nga ekspertiza më e mirë botërore ndaj sulmeve kibernetike ka konfirmuar pa dyshim se sulmi kibernetik ishte një agresion i orkestruar nga Republika Islamike e Iranit”.

“Për një sjellje të përgjegjshme qeveria shqiptare nuk pati asnjë zgjedhje tjetër veçse të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Iranin… I bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara të përqendrohen më konkretisht dhe seriozisht për të trajtuar sigurinë kibernetike”, deklaroi kryeministri shqiptar. /Telegrafi/