Në Pallatin e Kongreseve është zhvilluar Kongresi Kombëtar Rinor i Partisë Socialiste teksa u fol rreth vizionit për rrugën drejt Shqipërisë Evropiane 2030.
Ndërkohë, kryeministri Rama ka mbajtur një fjalim ku tha se shqiptarët do i japin mandatin e katërt PS-së për të realizuar ëndrrën e “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
“Falënderoj të rinjtë që gjenden këtu në këtë Kuvend Rinor. Të rinj dhe të reja të familjes sonë politike, mirë se takohemi sot në këtë Kuvend Kombëtar Rinor, që zhvillohet plot 100 ditë nga fitorja jonë e 10 radhazi. 100 ditë nga sot, PS, forca e përbashkët e djemve, vajzave, djemve, grave, gjyshërve, gjysheve, forca e përbashkët e shqiptarëve, do ta marrë mandatin e katërt për ta ngjitur Shqipërinë në majën e lartë të 2030, aty ku vendi ynë do të jetë si gjithë Evropa.
100 ditë nga sot, shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë do na mbështesin më shumë se asnjëherë më parë. Kjo për faktin se si asnjëherë tjetër Shqipëria i është afruar majës së lartë të 2030. Shqiptarët duhet ta dinë se maja që sot shihet me sy, nuk e afroi koha por vizioni dhe përpjekja jonë e gjithë këtyre viteve. Që kur morëm detyrën, i dhamë kohës shqiptare një kuptim të ri në të gjitha drejtimet, duke nisur nga drejtimi i kurrizit përballë të huajve dhe vënia në vend e dinjitetit të Shqipërisë në sytë e botës”, tha Rama, raporton euronews.al.
Ndër të tjera, kryeministri vuri theksin tek zgjedhjet e 11 e majit dhe vota e shqiptarëve duke i dhënë rëndësinë e duhur për të mos djegur votën.
“Sot Shqipëria është këtu ku është falë gjithçkaje që kemi bërë në një dekadë betejash të pafundme. Një vend që negocion anëtarësimin në BE, një vend që flitet mirë për të kudo, një vend që në një dekadë e rriti më shumë se dy herë e gjysmë Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar.
Kjo nuk është koha për të lozur me fatin e Shqipërisë duke djegur votën në oxhakun gjithë blozë të një partie të vjetër. Është koha kur shqiptarët duhet ta përdorin votën për Shqipërinë 2030, pjesë të pandashme të Evropës së bashkuar”, përfundoi kryeministri Edi Rama.