Site icon Telegrafi

Rama në dialog me Swobodën: BE-ja s’ka luksin të lërë jashtë Ballkanin

“Periferia sfidon qendrën” ishte kryetema që ish-europarlamentari Hannes Swoboda dhe kryeministri Edi Rama diskutuan në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri.

Europa po përballet me krizën e refugjatëve dhe migracioni po ndryshon shoqërinë, tha Swoboda në takimin e hapur me gazetarë, politikanë, diplomatë, profesorë e studentë.

Ndër të tjera ish-europarlamentari theksoi se migracioni është keqpërdorur si vatra e terrorit. Ai vuri në dukje se reforma në drejtësi në Shqipëri luan një rol të rëndësishëm, duke shtuar se “duhet të luftojmë për demokracinë”.

“Siç e pamë me emigracionin, ky migracion është keqpërdorur dhe është etiketuar si vatra e terrorit. Çfarë mund të bëjmë ne, vendet e Ballkanit dhe vende si Shqipëria?! Kanë një qëndrim të arsyeshëm për sa i përket diversitetit të feve. Ne së bashku duhet t’i tregojmë njerëzve sesi popullsitë myslimane jetojnë në Europë. Thonë që myslimanizmi nuk është një fe europiane, gjë e cila nuk është e vërtetë, sepse kjo është një karakteristikë europiane. Myslimanizmi është një fe që është e njohur edhe në vendin tim, në Austri, në kohën kur Austria aneksoi një pjesë të Bosnjë Hercegovinës, kështu që në këtë kuptim kjo është një fe europiane, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm. Ka grupe të cilat mendojnë se mund të transformojnë një bashkëjetesë të paqetë mes myslimanizmit dhe feve të tjera në ekstremizëm. Ekstremistët nga njëra anë ose antimyslimanët luajnë paralelisht duke ndryshuar shoqëritë”, tha ai.

Ndërsa Kryeministri Rama e quajti Hanes Swobodën një “mik i përkushtuar i Shqipërisë, i cili pavarësisht se në një periudhë të gjatë ka qenë në rangjet e para të socialistëve evropianë, kur ka qenë fjala për Shqipërinë dhe për të ndihmuar për ndryshimet në Shqipëri ka qenë i drejtpërdrejtë dhe nuk i ka kursyer as kritikat për mua”.

“Kur flasim për Ballkanin Perëndimor fjala zgjerim nuk shkon, sepse bëhet fjalë për plotësim. BE-ja nuk ka luksin të lërë jashtë Ballkanin. Kriza e refugjatëve e ka nxjerrë në pah atë që Europa dhe BE-ja ka qenë edhe më përpara dhe faktikisht është pasqyra më e plotë e asaj çka Hannesi dhe të tjerë kanë paralajmëruar për vetë BE-në në rast se BE-ja do të ngurojë në plotësimin e projektit. Dilema këtu është e qartë. një pjesë thotë se Europa duhet prishur se nuk funksionin, unë mendoj se Europa duhet plotësuar”, shtoi kreu i qeverisë në fjalën e mbajtur./Shekulli Online/

Exit mobile version