Site icon Telegrafi

Rama në Beograd: Vonimi i themelimit të Asociacionit, gabim strategjik

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Beograd ka thënë se vonimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është gabim strategjik.

Në një konferencë për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Rama është shprehur se propozimi i tij i draftit për Asociacionin është një kontribut që ka dhënë dhe shumë pozitiv, por siç ka thënë domosdoshmërisht duhet të pranohet nga palët.

Lexo po ashtu Konjufca: Propozimi i Ramës për Asociacionin, ka elemente që përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës

“Propozimi për draft-statutin për Asociacionin është një kontribut që kam dhënë dhe është shumë pozitiv, por nuk është diçka që duhet ta pranojnë domosdoshmërisht dy palët dhe as nuk është marrë në konsideratë nga asnjëra palë. Më vjen keq që disa nuk duan të kuptojnë se ky ishte një kontribut për Kosovën.

Nuk jam konsultuar me Presidentin e Serbisë për këtë. Mendoj se vonimi i themelimit të Asociacionit është një gabim strategjik. Gjithashtu, mendoj se insistimi për të qëndruar në ndërtesat komunale është gjithashtu një gabim”, ka thënë kryeministri shqiptar.

Në lidhje me situatën në veri të Kosovës, ai ka deklaruar se tensionet e fundit nuk janë shaka, ndërkohë që iu ka kërkuar palëve t’i rikthehen dialogut.

“Rruga e vetme është jo rritja e tensioneve, por rritja e dialogut mbi marrëveshjen e planit franko-gjerman. Askush nuk duhet ta marrë si shaka tensionet në veri të Kosovës për të mos e çuar këtë zonë në një situatë të rrezikshme. I duhet hapur rruga arsyes dhe më pas të kalohet në rrugën e dialogut”, ka theksuar Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version