Site icon Telegrafi

Rama ndan mirënjohje për 75 mësimdhënës para pensionimit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, këtë të martë ka ndarë mirënjohje për 75 mësimdhënësit të cilët do të pensionohen deri në fund të vitit 2023.

Më 7 Mars, Ditën e Mësuesit, Rama ka thënë se mësuesit janë shtylla e një shoqërie dhe model për nxënësit si dhe ndriçues i të panjohurave për ta.

Sipas tij, mësimdhënësit meritojnë shumë për shkak të përkushtimit të palodhshëm, derisa ka shtuar se të qenit mësues nuk është vetëm profesion, por mënyrë jetese.

“Ju mësimdhënës meritoni shumë për përkushtimin tuaj e palodhshëm. Me qenë mësues nuk është vetëm profesion, por mënyrë jetese, pasi ju në çdo moment jeni në gatishmëri të nxënësve. Ndikimi i mësimdhënësve shkon gjithmonë përtej klasës. Të vlerësojmë edhe kontributin e punonjësve të tjerë, të administratës e teknikë”, ka deklaruar Rama.

Ai tutje ka kujtuar që mësimdhënësit që gjatë këtij viti do të pensionohen kanë dhënë kontribut të madh në mbajtjen gjallë të sistemit arsimor në kohën e okupimit serb.

Prandaj, ka vlerësuar se prapa vetes këta mësues po lënë trashëgimi të qëndrueshme.

“Puna juaj si punonjës të arsimit në Kosovën e paraluftës nuk ka qenë aspak e lehtë, shumë nga ju që pensionoheni sivjet keni punuar tepër të tensionuara me shkundje të mëdha për shoqërinë tonë që nuk e patën kursyer as sistemin arsimor. Arsimi në vitet 90 u detyrua në shkollat shtëpi, ku funksioni jo për 1 vit apo 2 vite, por për më se 1 dekadë të tërë”.

“Ju punonjësit e arsimit të vendosur me mbajt gjallë shkollën shqipe bëtë një mobilizim kolektiv historik, duke u bërë kështu halë në syrin e pushtuesit, duke punuar një kohë pa paga, por me përkushtim e vendosmëri të shtuar…Derisa përgatiteni për të dalë në pension dijeni se po lëni prapa një trashëgimi të qëndrueshme përkushtimi, puna juaj e palodhshme dhe ndikimi juaj do të ndihet edhe për vite e vite në vijim”, ka përfunduar Rama. /Telegrafi/

 

Exit mobile version