Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar sot malin e Shpiragut ku është zbuluar një rezervë e naftës dhe gazit.
Rama përmes një postimi në Facebook ka thënë se rezerva e naftit dhe gazit është e cilësisë më të mirë në tregun botëror të naftës, kompania prestigjioze SHELL ka sjellë në Shqipëri, sondën më të fuqishme të teknologjisë (vetëm sonda kushton 72 milionë euro) për të nisur punimet për hapjen e puseve.
Postimi i plotë:
Sot në Shpirag ku pas zbulimit të ri të një rezerve të konsiderueshme nafte dhe gazi të cilësisë më të mirë në tregun botëror të naftës, kompania prestigjioze SHELL ka sjellë në Shqipëri, sondën më të fuqishme të teknologjisë (vetëm sonda kushton 72 milionë euro) për të nisur punimet për hapjen e puseve. Ndërkohë që për shkak të rënies drastike të çmimit të naftës SHELL (të ardhurat vjetore të kompanisë janë 33 herë më të larta se Prodhimi i Brendshëm Kombëtar i vendit tonë), ka ndalur shumë programe investimesh nëpër botë, në Shqipëri jo vetëm po vazhdon investimin, po edhe ka përfunduar draftin e një marrëveshje të re me qeverinë shqiptare, për të nisur një operacion të ri në nje tjetër bllok nafte.
Shumë e rëndësishme: SHELL ka pranuar një ndryshim themelor në qasje në marrëveshjen e re me qeverinë, që në raport me marrëveshjet e mëparshme siguron ndarjen e më shumë të ardhurave me popullin shqiptar.
Nëse deri dje, buxheti i shtetit s’ka marrë asgjë tjetër përveç rentës dhe me vite e me vite të tëra, kompani të caktuara kanë eksploruar, kanë nxjerrë, kanë shitur dhe kanë pretenduar se nuk janë ende në pikën ku sipas marrëveshjeve duhet t’i paguajnë ndonjë gjë popullit shqiptar, sot, politika e re e qeverisë është një garanci e plotë që çdo marrëveshje me kompanitë e naftës të sigurojë përfitimet e duhura për popullin shqiptar.
#Rilindje
#ShqipëriaeGjeneratësTjetër
#QentëLeTëLehinKarvaniEcënPërpara