Site icon Telegrafi

Rama mungon në inaugurimin e Trumpit, ndërsa Basha e Mediu shkojnë nga opozita?

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, nuk do të shkojë në Washington DC për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Ndërsa opozita ka vendosur të jetë pjesëmarrëse me liderin e saj, Lulzim Basha dhe kreun e partisë së dytë më të madhe të koalicionit të djathtë, Fatmir Mediu.

NOA mëson se nga qeveria dhe Partia Socialiste do të marrin pjesë vetëm ministri për Mirëqenien Sociale, Blendi Klosi dhe deputeti Ervin Bushati.

Politikanët shqiptarë do të ndjekin drejtpërdrejt ceremoninë, ku pritet të ketë të ftuar nga shumë vende të botës, presidentë dhe kryetarë qeverish.

As presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, nuk do të shkojë më 20 janar në SHBA. Mospjesëmarrja e Ramës në ceremoninë e marrjes zyrtarisht të detyrës të Trump, shihet nga analistët si vazhdim i linjës refuzuese që kryeministri shqiptar ka ndaj emrit më të ri në Shtëpinë e Bardhë.

Disa herë në dalje publike, kryeministri shqiptar e kishte kritikuar fort Trumpin si një figurë e papranueshme që rrezikon seriozisht marrëdhëniet shqiptaro-amerikane duke shprehur deri dhe lutje që ai të mos zgjidhej president.

“Mos e dashtë Zoti që amerikanët ta zgjedhin Trumpin për president, sepse do të ishte një president që do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe sigurisht do të ishte kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, kishte deklaruar Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare kishte paralajmëruar se nëse ndodh që Trump të zgjidhet si i pari i SHBA-ve, atëherë do të përkeqësoheshin marrëdhëniet diplomatike mes shqiptarëve dhe amerikanëve.

“Donald Trump është kërcënim për SHBA dhe nuk diskutohet që është kërcënim edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, ishte shprehur asokohe ai.

Republikani Donald Trump fitoi zgjedhjet e 8 nëntorit në SHBA ndaj kandidates republikane Hillary Clinton, duke lajmëruar ardhjen e një administrate të re në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Exit mobile version