Site icon Telegrafi

Rama: Meta nuk duhet ndalur në marshimin e tij vetëshkatërrues

Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në parlament, duke mos kursyer akuzat ndaj presidentit Meta.

Ai ka thënë se Meta nuk duhet ndaluar në marshimin e tij vetë shkatërrues.

“Kurrë mos e ndalo kundërshtarin që po gabon, por sot ne nuk jemi mbledhur të ndalojmë një kundërshtar, Meta nuk duhet ndaluar në marshimin e tij vetë shkatërrues, politikisht ai na e bën të lehtë pozicionin tonë në sy të popullit, sepse shihet armiqësia e tij ndaj nesh. Lidhur me pjesëmarrrjen e ulët në zgjedhje dhe raportin e ODHIR, e kam thënë disa herë gjatë fushatës se lufta e tyre për të prishur zgjedhjet do ishte një vrimë në ujë , e vetmja gjë që s’kam menduar është se do mendonin gabim, estradë hesapi. Janë po këta që e kundërshtojnë përfshirjen e votës së emigrantëve në kodin zgjedhor, megjithëse nga zgjedhjet e ardhshme ne do ta përfshijmë atë në kod zgjedhor, uroj dhe me dakordësinë e opozitës parlamentare. Pjesëmarrja e 30 qershorit ka kaluar pritshmëritë tona duke marrë parasysh atmosferën në të cilën u zhvilluan, 19,7 për qind”, ka theksuar ai.

Sipas tij krahasuar me 4 vite me parë ky numër është vetëm 4 përqind më pak.

“Po të kishte qenë një garë normale pa diskutim kjo përqindje do ishte më e lartë. Ta lexosh si refuzim popullor ndaj meje, si tkurrje elektorale e qeverisë, do thotë të mos kuptosh çfarë vjen më prapa. Opozita ska shanse fitoreje, edhe kur flasin për raportin e ODHIR, i cili ka pasqyruar me korrektesë procesin, nisur nga klima. Mungesa e qytetarëve për pjesëmarrjen në zgjedhje e nënvizuar në raport, është fakt, por ka ardhur nga kërcënimi i vazhdueshëm për dhunë dhe ndërhyrjes së Metës me anti dekretin e tij skandaloz. Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike, ne do ta depolitizojmë administratën”, tha Rama./TCh/

Exit mobile version