Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka akuzuar sot Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës se u bënë bashkë për të bllokuar vënien në diskutim publik të Planit Zhvillimor të Prishtinë.
Rama në një postim në Facebook shkruan se Plani Zhvillimor i Prishtinës është dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e Kryeqytetit për periudhën 2024 – 2032.
“Ky bojkot nga VV dhe PDK, është në dëm të qytetarëve të Prishtinës sepse ua pamundëson të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese për kontribut në këtë dokument të rëndësishëm.
Me këtë rast, i falënderoj përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Aleancës Kosova e Re, NISMA dhe Lëvizja për Bashkim për përkrahjen e vazhdueshme në zhvillim të Kryeqytetit”, thekson Rama.
Ndryshe, seancën e jashtëzakonshme e lëshuan asamblistët nga LVV dhe PDK duke pamundësuar kështu vënien në diskutim publik të Planit Zhvillimor të Prishtinës.
LVV në një konferencë për media tha se ky Plan Zhvillimor ka shumë mangësi dhe se është në dëm të qytetarëve. /Telegrafi/