Site icon Telegrafi

Rama: Ky vit i jep fund kanabisit

Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me gazetarët në Velipojë, deklaroi se ky është viti ku i jepet fund atij që e quajti “film” të kanabisit.

“Bashkimi Europian është i mirinformuar për progresin që kemi bërë në luftën kundër kanabisit. Është progres i jashtëzakonshëm dhe ky vit e mbyll këtë film”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se me shumë mundësi, Emergjencat Civile do të kalojnë te Ministria e Mbrojtjes pasi “kanë nevojë për ristrukturim”.

Në lidhje me turizmin, Rama deklaroi se “ka shumë aspekte që kërkojnë adresim dhe besoj se vitin tjetër do të ketë një turizëm më cilësor në shumë aspekte”.

“Do të mbyllet problemi i derdhjes së ujërave të zeza në det. Është një investim jo i madh për hotelet. Nëse vazhdojnë të hedhin ujërat e zeza në det, nuk do të kenë mundësi të presin klientë. Do të ngremë një sistem pastrimi të ri për të gjithë vijën bregdetare, që do të ketë bashkitë partnere dhe nuk ua lë vetëm bashkive përgjegjësinë”, theksoi Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version