Kryeministri Edi Rama thotë se hipotekat janë një nga pjesët më të prekura të asaj që ai e quan “sistem kanceroz i Tepsisë së Partive të Pushtetit”.
“Dorëheqja e të gjithë regjistruesve pa dallim përkatësishë partiake dhe shpallja e kërkesës publike për kandidatë, për pozicionin e regjistruesit në çdo bashki, është vetëm hapi fillestar në rrugën e një reforme rrënjësore për të bërë shtet në hipotekë”, thotë ai.
Hapi tjetër, sipas Ramës, do të fillojë me krijimin e qeverisë së re.
“Do të jetë ngritja e Agjencisë Kombëtare të Titujve të Pronësisë dhe synimi është që më herët sesa vonë, brenda këtij mandati, certifikata e pronës të mundësohet automatikisht nga regjistri kombëtar digjital i pronës, jo më për javë, muaj e vite, po në pak minuta”, deklaron Rama.
Kryeministri Edi Rama mblodhi në një takim drejtuesit e Zyrave Vendore të Hipotekave. Në takimin me ta, shefi i qeverisë tha se gjithë struktura e regjistrimit të pasurive është problematike.
“Jeni shumë larg realitetit dhe nevojave të njerëzve dhe kjo është një strukturë problematike”, tha Rama.
Kryeministri kritikoi këtë institucion, i cili sipas tij, ka raportuar vetëm 5100 leje legalizimi të patrajtuara, ndërkohë që siç tha ai, numri i legalizimeve të ALUIZNI-t është shumë herë më i lartë.
Rama u la afat 24 orë drejtuesve vendorë të hipotekave që të dorëhiqen.
“Ju ftoj të gjithëve të jepni dorëheqjen brenda 24 orëve, të largoheni me dinjitet. Nëse doni t’i jepni vetes një mundësi dhe të dilni me dinjitetin minimal, jepni dorëheqjen”, tha kryeministri.