Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Kosova nuk gjen askund një mik më të mirë se presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
“Pas kësaj vizite dhe këtij momenti kaq të rëndësishëm, të cilit i shtohet si një vlerë e madhe edhe hapja e xhamisë të madhe të Namazgjasë, presidenti Erdogan do të niset për Beograd dhe e sjell këtë në vëmendje për t’ju kujtuar të gjithëve një fakt historik. Republika e Turqisë, kur presidenti Erdogan ishte kryeministër, e ka njohur Kosovën e para, por nuk ka qenë një njohje e Kosovës e para thjesht zyrtare dhe diplomatike”.
“Ka qenë një njohje e Republikës së Kosovës në kohë reale në sinkron me punimet e Parlamentit të Kosovës dhe në momentin kur në televizor, përpara të cilit ishte mbledhur gjithë qeveria me atëherë kryeministër dhe sot president, deputetët e Kosovës kanë ngritur dorën për të miratuar pavarësinë, qeveria e Republikës së Turqisë ka njohur Kosovën. Pra, një mik më të padiskutueshëm në të gjitha ditët sesa Turqia dhe presidenti, Republika e Kosovës nuk e gjen dot as gjëkundi”, u shpreh Rama.
Rama gjithashtu ka theksuar se me presidentin Erdogan kanë ndarë shqetësimin se situata mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmirësohet dhe se dialogu duhet të përparojë.