Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka treguar se cilët artikuj kanë të drejt të importohen pas miratimit të Ligjit për Plehrat në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas tij, zhurma e disa personave dhe të opozitës kanë qenë për përfitime politike.
Postimi i plotë i Ramës në profilin e tij në Facebook.
“Zhurma e orkestruar e atyre që duan të nxjerrin përfitime politike duke trembur njerëzit dhe e atyre që nuk duan të dëgjojnë po vetëm të flasin, është edhe këtë herë një thikë e cila u ngulet pabesisht në tru njerëzve që për shkak të tmerreve e poshtërsive që kanë parë apo pësuar në të shkuarën, e dëgjojnë këtë kor zhurmaxhinjsh profesionistë!
Ligji i votuar mbrëmë nuk ka asnjë lidhje me plehrat ogurzeza, po është vetëm një hap i natyrshëm dhe i domosdoshëm për të normalizuar situatën ligjore në lidhje me riciklimin e mbetjeve të listës së gjelbër të Bashkimit Europian; për të fuqizuar industrinë e lehtë të riciklimit me qëllim rritjen e përpunimit edhe të mbetjeve të vendit.
Dëgjojeni mirë: Falimentimi i kësaj industrie sot, do të thoshte një Shqipëri më e ndotur nesër! Jo më kot e gjithë pjesa e shëndoshë e specialistëve të mjedisit dhe e ambientalistëve që pasion ka mjedisin jo protestat pa arsye, kanë dhënë kontribut në hartimin e ligjit dhe e mbështesin atë.
Të tjerat janë broçkullat e radhës që dalin nga kazani i politikës së ulët të interesave të atyre që donin të digjnin në Shqipëri, plehrat e importit!”. /Telegrafi/