Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi një person humbi jetën në kryeqytet, derisa një tjetër mbeti i lënduar.
“Me shumë keqardhje mora lajmin për humbjen e jetës së një qytetari si pasojë e dëmeve nga stuhia që përfshiu sot Kryeqytetin”, ka shkruar Rama.
I pari i Prishtinës pasi ka shprehur ngushëllime për familjen e të njërit, të lënduarve iu ka uruar shërim të shpejtë.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar nga rreziqet potenciale që mund të shkaktohen nga moti i keq i paralajmëruar për ditët në vijim”, ka shkruar tutje Rama.
E lënduara është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Në një prononcim për Telegrafin mjeku kujdestar në QKUK, Ejup Govori tha se 30 vjeçarja ka lëndime serioze në ekstremitet e poshtme.
“Gjendja e saj është stabile, pra është jashtë rrezikut për jetë, por ka lëndime serioze në ekstremitet e poshtme. Ende nuk kemi raport të detajuar por dyshohet për frakturë”, tha ai.
Govori shtoi se e lënduara ka edhe dhimbje të shpinës dhe dyshohet se mund të ketë lëndime të unazës./Telegrafi/