Telegrafi

Rama: I kemi zgjedhur vaksinat perëndimore pasi jemi pjesë e familjes evropiane

Kryeministri Edi Rama ka thënë se është zgjedhur kahu perëndimor i vaksinave kundër COVID-19, për shkak se sipas tij, Shqipëria është pjesë e familjes evropiane.

Ai ka folur edhe për vaksinat kineze dhe ruse, duke thënë se ato nuk janë gati dhe për këtë janë zgjedhur ato të kompanive perëndimore.

“Vaksinat në kahun lindor nuk është se janë gati. Nuk është se ne i kemi mbyllur derën. I kemi zgjedhur në krahun perëndimor se ne jemi pjesë e familjes evropiane. Jemi në kushtet ku po e zbatojmë planin tonë. Vonesa e krijuar është vonesë jo kronike dhe e thash se kemi marrë konfirmimin se në mes të shkurtit dhe brenda shkurtit do bëhet lëvrimi i sasisë së premtuar nga Pfizer. Jemi në negociata edhe me Astra-Zeneca” ka thënë Rama, përcjell TCH.

Lidhur me këtë, kjo nuk është hera e parë që Rama refuzon vaksinat e pjesës lindore.

Lexo po ashtu Edi Rama refuzon ofertën e Rusisë për vaksina: Ky është një provokim qesharak

Ai në fund të vitit të kaluar, e kishte quajtur provokim të papërshtatshëm ofertën e Rusisë për ta sjell vaksinën “Sputnik V” në Shqipëri.

Në konferencën e fundvitit, ai pati thënë se është krejtësisht e papërshtatshme që të bëjë provokime të tilla qesharake.

“Ajo që pashë që Ambasada e Rusisë kishte postuar nga Twitteri i drejtorit të komunikimi një retweet të shefes së Komisionit Evropian. Mendova se ishte një meme. Sepse për një shtet serioz është krejtësisht e papërshtatshme që të bëjë provokime të tilla. Kur them provokim nuk i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është një provokim qesharak. Dhe nuk është mirë që një shtet si Rusia të bëhet qesharake nëpërmjet këtyre shkrimeve. Që ambasada e një shteti serioz të sillet sikur është një seksion i Portokallisë apo konkurrent i Portokallisë. Shpreh keqardhjen për këtë. Postimi i Ambasadës ruse nga ana ime konsiderohet i papërshtatshëm. Ndjesë e Ambasadës ruse, qoftë dhe për keqkuptimin, do të ishte i mirëpritur”, pati thënë ai.
Rama ka sqaruar se si Qeveria shqiptare është e fokusuar te vaksinat e Pfizer, Astra-Zeneca dhe Moderna.

Lexo po ashtu Edi Rama merr dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19

“Ne jemi të fokusuar te vaksinat e Pfizer, Astra-Zeneca dhe Moderna. Shtetet me te cilat ne komunikojmë në BE janë drejtuar në këto kompani. Nuk kemi asnjë arsye të shprehim rezerva apo të paragjykojmë vaksinën ruse apo kineze, por për momentin ne jemi të fokusuar në këto drejtime. Nëse do të lind nevoja dhe do ta shohim të arsyeshme, patjetër që do të shohim dhe alternativa të tjera”, ka sqaruar Rama.

Ndryshe, të martën kryeministri Rama ka marr dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë amerikane Pfizer. /Telegrafi/