Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas kërkesës së Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Joep Borrell, i cili i ka kërkuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq që t’i lirojë pa kushte tre policët e Kosovës që po mbahen të burgosur në Serbi.
Rama, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se pa largimin e tre policëve kosovarë shëndosh e mirë nga Serbia nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përpara në dialog.
“Pa largimin e tre djemve shëndoshë e mirë nga Serbia, nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparim të vërtetë!”, ka shkruar Rama transmeton Telegrafi.
“Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe Gjermanisë për të ndaluar këtë spirale absurditeti! Por, para së gjithash: Liroji tre policët”, ka shkruar Rama.
Without the 3 guys leaving Serbia safe and sound there is no space to make any inch of real progress! Once they will be back home, a firm new action of France and Germany is needed to stop this spiral of absurdity!
BUT FIRST THING FIRST:
FREE THE 3 POLICEMEN! pic.twitter.com/a4i8ueeWCN— Edi Rama (@ediramaal) June 22, 2023
Rama edhe tre ditë më parë ka reaguar sërish në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe duke paralajmëruar një bllokim të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Serbisë nëse kjo e fundit nuk liron policët kosovarë.
“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”, tha Rama në një postim në Twitter.
Rama në reagimin e tij se tha se nëse nuk do të ketë shtensionim të situatës atëherë e humbura e madhe do të jetë Kosova.
Ndërsa Josep Borrell, pas takimit të sotëm me Vuçiqin, deklaroi t’i ketë thënë presidentit serb se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi “duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”.
“Mendoj se kemi identifikuar rrugë të mundshme përpara por të dy palët duhet t’i përmbahen detyrimeve të tyre”, tha ai.
Tre policë kufitarë të Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe më 14 qershor. Autoritetet e Kosovës theksojnë se tre policët kosovarë janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës. /Telegrafi/