Site icon Telegrafi

Rama: Ismail Qemal Vlora, Ati i Pavarësisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në rubrikën e tij në Facebook, Amarcord, ka përkujtuar sot Ismail Qemalin, të cilin e ka cilësuar si Atin e Pavarësisë.

“AMARCORD

Në këtë 28 nëntor të amshuar, mendimet dhe homazhet tona përkujtojnë të gjithë patriotët, të shquar e më pak të shquar, të cilët i paguan stërmundimeve për mëvetësim dhe vetëqeverisje, çmimin e pallogaritshëm të jetëve e sakrificave të pafundme njerëzore.

Mishërimi i vetmohimit, nga syrgjyni ne syrgjyn, mbetet përjetësisht Ismail Qemal Vlora. Më i madhi ndër pinjojtë e më të madhit oxhak shqiptar dhe njëherazi, më i vobekti ndër më të nginjurit e pushtetit të kohës, Ismail Qemal Vlora mund të quhet me të drejtë Ati i Pavarësisë, njeriu që e ngjizi atë mes dhimbjeve dhe brengave të mëdha, duke e lënë më pas shtetin e shpallur prej tij të ecë me këmbët e veta të brishta, pa i kursyer, nga mërgimi i diasporës, kujdesin e tij atëror.

Paçim prej Atit tonë dhe sivëllezërve të tij të Kuvendit historik të Vlorës, uratën e shekujve dhe bekimin e Historisë mbi një komb të përvuajtur, në rrugën drejt tokës së premtuar europiane, së cilës i përket prej gjakut të sojit e prej gjakut të derdhur, prej aspiratave të themeluesve të shtetit tonë dhe prej një vokacioni të kahershëm të cilin as koha dhe as veprimet e levantinëve e karanxhollëve të çdo kohe, nuk do të mund kurrë ta rrudhin!

Rroftë Shqipëria një dhe e pandarë!”, shkruan Kryeministri Rama, transmeton KosovaPress.

 

Exit mobile version