Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar se në dhjetë ditët e fundit të dhjetorit Prishtina ka pasur vizitorë të shumtë.
Përmes një shënimi në Facebook ai ka thënë se një pjesë e madhe e tyre u janë bashkuar festave që janë organizuar në kryeqytet.
“Mbi 130 mijë qytetarë, shumë prej tyre vizitorë nga vende të ndryshme, për vetëm 10 ditët e fundit të dhjetorit 2023, u bënë pjesë e festave në Prishtinë”.
I pari i kryeqytetit thotë se kjo pjesëmarrje tregon se Prishtina është e veçantë.
“Sheshet tona, rrugët e lagjet e ndryshme janë mbushur me qytetarë si kurrë më parë. Bisedat me njëri – tjetrin të shoqëruara me kafen, çajin apo verën e ngrohtë nën tingujt e magjishëm të këngëve tona të interpretuara mrekullisht nga artistët tanë, na treguan edhe njëherë se sa i veçantë, vibrant e i ngrohtë është kryeqyteti ynë”.
Por ai tha se hapësirat e gjelbra do të shtohen edhe më tej gjatë këtij viti.
“Në Prishtinë, këtë vit në hapësirat publike, hapësirat e qytetarëve, do të vazhdojmë me intervenimin në shtimin e gjelbërimit, krijimin e këndeve për fëmijë, shtimin e ndriçimit publik dhe rregullimin e disa prej tyre me kalldrëm”.
“Do të organizojmë super festivale, koncerte, lojëra e shumëçka tjetër, për të sjellë momente të veçanta për të gjithë ne, sepse kemi projekte me të cilat do t’ua kthejmë hapësirat publike qytetarëve”, ka shtuar tutje Rama duke thënë se “Prishtina u takon qytetarëve”.
Ndryshe, qytetarët e Prishtinës kanë organizuar protestë e cila pritet të mbahet më 14 janar në rrugën “Xhorxh Bush”, tashmë të kthyer në shesh, me kërkesën për hapjen e kësaj rruge në qendër të kryeqytetit.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një komunikate drejtuar mediave thotë se mbështesin hapjen e rrugës “Xhorxh Bush”.
KMDLNJ thotë se trafiku është shndërruar në kaos për shoferët dhe udhëtarët./Telegrafi/