Gazetarët nga Kosova gjatë ditës së sotme janë privuar nga e drejta për të bërë pyetje në konferencën e përbashkët në Tiranë me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
Kështu ka bërë të ditur juristja e të drejtës për media, Flutura Kusari, përmes rrjetit Facebook.
“Sot gazetarët nga Kosova kanë përjetuar atë që gazetarët në Shqipëri e përjetojnë që kur se Rama ka ardhur në pushtet. Janë privuar nga e drejta për të bërë pyetje”, tha ajo.
Lidhur me këtë veprim ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve, e cila përmes rrjetit Twitter dënoi këtë ndarje skandaloze të gazetarëve nga Kosova.
“Turp për kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili qëllimisht shpërfilli pyetjet e gazetarëve kosovarë. Federata europiane e gazetarëve e dënon këtë ndarje skandaloze”, thuhet në reagimin e tyre.
Po ashtu edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënojnë sjelljen e kryeministrit Rama ndaj gazetarëve nga Kosova.
AGK e vlerëson të papranueshme sjelljen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në raport me gazetarët nga Kosova, që ishin pjesë e konferencës me kancelaren gjermane Angela Merkel.
“Një ndarje e tillë, për nga prejardhja, e gazetarëve në një takim ndërkombëtar është akt i papranueshëm”, thuhet në reagim.
Shame on Albanian PM @ediramaal, who deliberately ignored the questions of Kosovo journalists. The @EFJEUROPE condemns this outrageous segregation. https://t.co/jArGqLb5q6
— Ricardo Gutiérrez (@Molenews1) September 14, 2021