Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është deklaruar lidhur me njoftimin që e ka bërë Komuna për të gjithë shitësit që operojnë rreth hapësirave të tregjeve.
Në një intervistë për RTK-në, Rama ka thënë se hapësirat publike pranë tregjeve do të lirohen, kurse në shitësvë në lagjen ‘Ulpiana’ ka thënë u është dhënë afat deri me datën 22 korrik që t’i lirojnë ato hapësira.
“Është edhe kjo pjesë e procesit të lirimit të hapësirave publike dhe është vazhdimësi e çlirimit të tyre, ngase kemi numër të madh të shitësve ambulantë, të cilët shesin pa leje”, është shprehur ai.
Kreu i kryeqytetit ka deklaruar se edhe pse ka hapësira edhe në Tregun e Gjelbër edhe në tregun e Ulpianës, e që ata mund të vendosen, të njëjtit vazhdojnë të tregtojnë jashtë tyre.
“Ndaj ne u kemi dhënë dy javë afat që ata të largohen, përndryshe do t’i largojmë ne dhe do t’i gjobisim”.
“Ata e kanë mundësinë të bëhen pjesë e sistemuar e mirëfilltë, sikurse tregtarët tjerë“, ka pohuar kryetari Rama, duke shtuar se do të bëhet edhe pastrimi i tregjeve nga mbeturinat. /Telegrafi/