Telegrafi

Rama-Hajrizi: Ishte gabim teknik në formular, nuk i kam 6 milionë euro në bankë, por 6 mijë

Ish kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, ka sqaruar se gjatë plotësimit të formularit për publikimin e pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsionit, ka ndodhur një gabim teknik, dhe se ajo nuk posedon 6 milionë euro të gatshme në bankë por 6 mijë.

Rama-Hajrizi thotë se për këtë do t’i drejtohet zyrtarëve të kësaj agjencie, transmeton Telegrafi.

“Duke respektuar gjithnjë të drejtën e mediave për informim dhe transparencë, për hir të së vërtetës dhe informimit të saktë të opinionit publik dua t’ju njoftoj se, ky nuk është lajm i saktë, meqenëse është i bazuar në të dhënat e shënuara gabimisht në formularin e deklarimit të pasurisë. Shuma e saktë e parave të gatshme është: 6,311.98 euro (pra 6 mijë), e jo 6 milionë. Bëhet fjalë për një lëshim teknik në plotësimin e Formularit të deklarimit të pasurisë, për ç’arsye unë nesër do t’u drejtohem zyrtarëve kompetent të kësaj agjencie që sa më parë të korrigjohet ky gabim”, thotë mes tjerash ajo në reagimin e bërë në Facebook.

Lexo po ashtu Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Rama - Hajrizi ka të kursyera në bankë mbi 6 milionë euro

Ndryshe, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte publikuar pasurinë e ish kryetares, e ku thuhej se ka mbi 6 milionë euro para të gatshme në bankë. /Telegrafi/