Kryeministri shqiptar Edi Rama, thotë se Kosova është pika më e madhe mospajtuese ndërmjet Shqipërisë e Serbisë, ndaj kërkon që të “mos jetohet në të kaluarën” e të punohet në “gjërat që forcojnë lidhjet”.
“Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Serbisë tani janë më të mira sesa kurrë më parë. Natyrisht, gjithmonë ka mundësi që ato të jenë më të mira. E kujtojeni, vetëm para dy vjetësh as që kemi folur ndërmjet vetes. Tani po punojmë bashkërisht, ndërtojmë ura bashkëpunimi. Kemi mundësi të përparojmë me planin aksional shumë ambicioz për komunikacion e tregti qëllimi i të cilëve është heqja e pengesave që iu mundëson njerëzve të udhëtojnë e të tregtojnë lirisht në rajonin tonë. Kjo është vërtetë fantastike”, ka thënë Edi Rama në intervistën për gazetën “Veçernje Novosti” të Beogradit, transmeton Koha.net.
Në pyetjen se cili është problemi më i madh ndërmjet Shqipërisë e Serbisë, Rama është përgjigjur:
“Pa dyshim Kosova. Mosnjohja e Kosovës është shenjë se ende nuk ka gatishmëri për ballafaqim të hapët me të kaluarën e të ardhmen. Por, kjo nuk është diçka që do të pengonte të jemi më të afërt, të njihemi, të punojmë e të tregtojmë bashkë. Më gëzon shumë fakti se mjaft shumë shqiptarë udhëtojnë me Air Serbia. Kjo është shenjë shumë e fuqishme se sa marrëdhëniet normale mund të jenë të dobishme për të gjithë.
Rama ka folur edhe bisedat që po zhvillon me kryeministrin serb:
“Po zhvillojmë biseda miqësore. Natyrisht e dimë se për çfarë nuk pajtohemi. E nuk pajtohemi thellësisht rreth Kosovës, por më duhet të them se, madje, edhe marrëdhëniet e Serbisë e të Kosovës po përparojnë. Kjo është arritur falë liderizmit të Aleksandar Vuçiqit nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, Hashim Thaçit, Isa Mustafës e të tjerët që kanë mundësuar përparimin në dialogun ndërmjet Serbisë e Kosovës.
Në konstatimin e gazetës se “a dini se sa e rëndësishme është Kosova për Serbinë, Rama është përgjigjur: “Nuk është e domosdoshme të merremi vesh në çdo gjë. Ne jemi pajtuar për të gjitha gjërat që kanë rëndësi për qytetarët tanë. Kam qenë shumë i lumtur që i pari kam mundur të pres të rinj serbë në Tiranë dhe tani po shoh të rinj shqiptarë që po udhëtojnë në Serbi”.